
Në javën e pestë të izolimit të vendit, si pasojë e pranisë së koronavirusit, dhe zbatimit të masave ekstreme kufizuese, sërish ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qëndruar në shtëpi mbetet i ulët.
Vetëm në 24-orët e fundit, uniformat blu të Policisë së Shtetit, ndëshkuan, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit në rrugë, në këmbë apo me biçikletë, 397 persona me 10 mijë lekë.
Por rritje të masave ndëshkuese janë vërejtur edhe te drejtuesit e automjeteve, ku në të gjithë vendin janë evidentuar 49 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Ndërkohë, në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 persona, ku njëri është konstatuar duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit; ndërsa tjetri është konstatuar duke drejtuar mjetin motor, pa lejen përkatëse të drejtimit.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Por, në Durrës është proceduar penalisht një 47 vjeçar, pasi është konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të karantinës dhe ka tentuar të vjedhë në një lokal.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura.
Në Berat është gjobitur me masë administrative 700.000 lekë, një 35 vjeçar, i cili ishte kthyer para 10 ditësh nga Greqia dhe i ishte komunikuar që të vetëkarantinohej, por është konstatuar jashtë ambienteve të banesës.
Në të gjithë vendin është konstatuar 1 lokal i hapur dhe ndaj administratorit është marrë masa administrative.